Kosova është prezantuar për herë të parë në “UIA Member Sections Exhibition”, e cila zhvillohet në kuadër të Kongresit Botëror të Arkitektëve UIA 2026 në Barcelonë. Kosova përfaqësohet nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, i cili ka një hapësirë të dedikuar prezantuese në ekspozitën që organizohet në kuadër të kongresit. Në këtë hapësirë prezantohen arkitektura dhe zhvillimet arkitektonike të vendit përkrah shteteve të tjera pjesëmarrëse. Kongresi po mbahet nga 28 qershori deri me 2 korrik 2026 dhe mbledh mijëra arkitektë, studiues, studentë dhe institucione nga mbarë bota. Edicioni i sivjetmë zhvillohet nën temën “Becoming. Architectures for a Planet in Transition”, ndërsa mbi 250 folës do të prezantojnë kërkime, projekte dhe diskutime mbi të ardhmen e arkitekturës. Pas përfundimit të kongresit, nga 3 deri me 5 korrik, do të mbahet edhe Asambleja e Përgjithshme e UIA-së, ku do të zgjidhen organet e reja drejtuese të organizatës. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cilësoi këtë pjesëmarrje si një moment të rëndësishëm për promovimin e arkitekturës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcimin e pranisë së saj në komunitetin global të arkitektëve.