Opozita e qendrës së majtë në Suedi pritet të dalë fituese në zgjedhjet parlamentare, sipas sondazheve pas votimit, ndërsa Demokratët e Suedisë, partia e së djathtës ekstreme, kanë humbur terren. Rezultati mund të rrezikojë përpjekjet e kampit të djathtë për të qëndruar në pushtet. Blloku i qendrës së majtë, i cili mbështet lideren e Socialdemokratëve, Magdalena Andersson, pritet të ketë marrë 51.3 për qind të votave, sipas sondazhit të transmetuesit suedez SVT të publikuar pas mbylljes së qendrave të votimit. Edhe një sondazh tjetër i kryer ditën e zgjedhjeve nga transmetuesi TV4 e nxori opozitën e qendrës së majtë në avantazh. Sipas sondazhit SVT/Valu, Demokratët e Suedisë u renditën në vendin e tretë, pas partisë së kryeministrit aktual, Ulf Kristersson, transmeton Telegrafi. Rezultati, nëse konfirmohet nga numërimi zyrtar, do të ishte një goditje për kampin e djathtë dhe do ta komplikonte përpjekjen e Kristerssonit për të siguruar një mandat të dytë. Një fitore e bllokut të djathtë do t’i hapte rrugën Demokratëve të Suedisë për të hyrë për herë të parë zyrtarisht në qeveri. Partia e së djathtës ekstreme ka fituar gjithnjë e më shumë ndikim në politikën suedeze dhe aktualisht mb