Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e ri qeveritar, pas votimit të Qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës. Haxhiu, përmes një postimi, ka thënë se përpara institucioneve të Kosovës janë shumë punë të përbashkëta, duke përfshirë reformat, zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. “Uroj kryeministrin dhe të gjithë kabinetin e ri, duke u dëshiruar punë të mbarë dhe suksese në përgjegjësitë që kanë marrë”, ka shkruar Haxhiu. Ajo ka theksuar se Kuvendi do ta kryejë pjesën e tij përmes agjendës legjislative dhe mbikëqyrjes parlamentare mbi punën e ekzekutivit. “Me votimet e sotme, Republika e Kosovës tashmë i ka Kuvendin dhe Qeverinë. Mbetet edhe një hap i rëndësishëm për kompletimin e institucioneve e që është zgjedhja e Presidentit të Republikës”, ka deklaruar Haxhiu. Ajo ka bërë thirrje që deputetët ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe që procesi i zgjedhjes së Presidentit të përmbyllet me sukses. “Kosova ka nevojë për institucione të forta, funksionale dhe stabile dhe jo për pritje dhe vonesa të reja”, ka përfunduar Haxhiu./Telegrafi/