Më 16 shtator, pas më shumë se dy vjetësh gjykim, Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar dhe janë deklaruar të pafajshëm. Ndërsa vendimi pritet në Hagë, vëmendja në Kosovë është përqendruar veçanërisht në vendlindjet dhe zonat që lidhen me luftën e UÇK-së. Në Burojë të Skënderajt, vendlindjen e Hashim Thaçit, procesi gjyqësor është bërë pjesë e bisedave të përditshme të banorëve. Kadri Thaçi, 62-vjeçar dhe bashkëfshatar i ish-presidentit, thotë se e pret me shpresë vendimin, por nuk dëshiron të mendojë për mundësinë e një dënimi. “Në qoftë se dënohen, inshallah jo... Ndjehem keq. S’kam qejf as ta mendoj”, ka thënë ai. Ai e përshkruan Thaçin si një njeri të butë dhe të dashur dhe thotë se që nga fëmijëria e ka konsideruar atë një person “të veçantë”. Në Likoc presin ditë feste Në Likoc të Drenasit, ku gjatë luftës ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, banorët gjithashtu thonë se presin me optimizëm vendimin e 16 shtatorit. Veterani i UÇK-së, Nusre