Ministria e Financave ka njoftuar se më 22 shtator 2026 do të mbahet ankandi i nëntë i letrave me vlerë për këtë vit. Sipas njoftimit, në kuadër të ankandit do të emetohen obligacione me maturitet 10-vjeçar, në vlerë prej 15 milionë eurosh. “Investimi në Obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave. Sipas Ministrisë, interesi i përcaktuar nga tregu do të garantohet përgjatë gjithë periudhës së maturimit prej 10 vitesh, ndërsa investimi në këto obligacione është i liruar tërësisht nga tatimi. Ministria u ka bërë thirrje të interesuarve që për detaje rreth pjesëmarrjes në ankandet për blerjen e letrave me vlerë të kontaktojnë njërën nga bankat komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/