Në njëzet shkolla në Shqipëri, kamerat nuk regjistrojnë më vetëm atë që ndodh. Një sistem i inteligjencës artificiale (IA) analizon pamjet dhe mund të sinjalizojë automatikisht te strukturat përgjegjëse sjellje të programuara paraprakisht si të dyshimta ose potencialisht të rrezikshme. Autoritetet e paraqesin teknologjinë si një mjet për të parandaluar incidente dhe për të rritur sigurinë e nxënësve. Por, hyrja e inteligjencës artificiale në mjediset shkollore ngre edhe një pyetje: deri ku mund të shkojë mbikëqyrja në emër të sigurisë së fëmijëve? Prindër dhe ekspertë të teknologjisë ngrenë dilema për të dhënat që sistemi mund të mbledhë, mënyrën se si përpunohen dhe ruhen ato, kush mund të ketë qasje në to dhe nëse ekzistojnë mekanizma të mjaftueshëm të pavarur për ta mbikëqyrur teknologjinë. Debati zhvillohet ndërsa Shqipëria ende nuk ka miratuar Ligjin për Inteligjencën Artificiale dhe institucionet nuk kanë sqaruar nëse, para vendosjes së sistemit, është kryer ndonjë vlerësim specifik i ndikimit të tij në mbrojtjen e të dhënave personale. Nga kamerat tek inteligjenca artificiale Njëzet shkollat e përfshira në projekt kishin kamera edhe më herët. Ajo që ka ndryshuar, është mënyr