Pak histori në futboll janë aq të jashtëzakonshme sa ajo e Stale Solbakkenit. Sot, përzgjedhësi i Norvegjisë po udhëheq kombëtaren drejt një prej paraqitjeve më të suksesshme në Kupën e Botës, por 25 vjet më parë ai po luftonte për jetën. Më 24 prill të vitit 2001, gjatë një seance stërvitore me FC Copenhagen, Solbakken pësoi një atak të rëndë në zemër. Zemra e tij pushoi së rrahuri për rreth shtatë deri në tetë minuta dhe për disa çaste ai u konsiderua klinikisht i vdekur. Falë reagimit të menjëhershëm të stafit mjekësor, mjeku i klubit Frank Odgaard nisi reanimimin në fushë, ndërsa paramedikët arritën ta rikthenin në jetë gjatë transportit me ambulancë drejt spitalit. Tuneli blu që nuk e harron kurrë Pas incidentit, Solbakken qëndroi në koma për më shumë se një ditë. Mjekët zbuluan se ai kishte një problem të lindur në zemër që nuk ishte diagnostikuar më parë. Vite më vonë, ai tregoi se gjatë asaj përvoje kishte parë një "tunel blu të çelët". "Ishte një ngjyrë e mrekullueshme. Kur u zgjova, mendova se mund të kisha qëndruar atje edhe pak më gjatë", kujtoi ai në një intervistë të fundit. Për shkak të problemeve kardiake, karriera e tij si futbollist mori fund në moshën 33-vjeçare.