Hapja e arkivave shtetërore, ushtarake dhe policore të Serbisë mbetet thelbësore për zbardhjen e fatit të rreth 1.560 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Kështu u tha në përmbyllen e projektit “Shpalosja e së Vërtetës: Luftimi i Gazetarisë Monoetnike dhe Avokimi për Personat e Zhdukur në Kosovë”. Zëvendësshefja në detyrë e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, tha se mbështetja për drejtësinë tranzicionale dhe pajtimin mbetet pjesë e angazhimit afatgjatë të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe rajon. “Bashkimi Evropian ka mbështetur prej kohësh drejtësinë tranzicionale dhe pajtimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën. Qasja jonë udhëhiqet nga parimi se këto procese duhet të jenë në pronësi vendore, gjithëpërfshirëse dhe të mbështetura në të drejtën ndërkombëtare… Shoqëria civile nuk mund ta mbajë e vetme këtë barrë. Përparimi i qëndrueshëm kërkon një angazhim më të fortë institucional dhe bashkëpunim më të ngushtë me të. Trajtimi i trashëgimisë së kaluarës nuk ka të bëjë thjesht me kthimin e vështrimit prapa. Ka të bëjë me krijimin e kushteve për një të ardhme më paqësore, më gjithëpërfshirëse dhe më demokratike. Drejtësia për viktimat,