100 mijë turistë kanë vizituar Kalanë e Argjiros në Gjirokastër gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, duke e renditur atë ndër monumentet më të vizituara në Shqipëri. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Ardis Duka, thotë se shifrat tregojnë një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas tij, pjesën më të madhe të vizitorëve e përbëjnë turistët e huaj, të cilët kanë mbërritur nga vende të ndryshme të botës, duke e kthyer Gjirokastrën në një nga destinacionet më të preferuara të turizmit kulturor. Paralelisht me fluksin e vizitorëve, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore po vijon punën për mirëmbajtjen dhe restaurimin e pjesëve të kalasë që kanë nevojë për ndërhyrje, me synimin për të ruajtur vlerat historike dhe arkitekturore të monumentit. E ndërtuar mbi kodrën që mbikëqyr qytetin, Kalaja e Argjiros është një nga fortesat më të mëdha në Ballkan dhe simboli më i rëndësishëm i Gjirokastrës. Gjatë vitit 2025, ajo u vizitua nga 307,164 turistë, duke u renditur si monumenti më i vizituar në vend. /Euronews.al/