Ndërsa nesër, më 16 shtator, pritet vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, në Prishtinë kanë nisur përgatitjet për ta pritur këtë moment së bashku. Në sheshin “Skënderbeu” tashmë është vendosur ekrani i madh, ndërsa janë shtruar qilimat e kuq dhe janë vendosur flakadanë, duke krijuar hapësirën ku qytetarët pritet ta ndjekin drejtpërdrejt seancën nga Haga. Përgatitjet vijnë pas thirrjes së Çlirim Hazirit, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve që sonte të mblidhen në shesh dhe ta presin së bashku mëngjesin e 16 shtatorit, në pritje të vendimit. Ndërkohë, një numër i madh qytetarësh tashmë kanë filluar të mblidhen në shesh , në pritje të zhvillimeve nga Haga dhe të vendimit për ish-krerët e UÇK-së. Pamjet nga sheshi tregojnë se tashmë gjithçka është gati për një natë që pritet të mbledhë qytetarë në qendër të Prishtinës. /Telegrafi/