Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, municion dhe pajisje të tjera në dy lokacione të ndara në fshatin Potokmali të Leposaviqit, pas informacioneve se në shtëpi të pabanuara fshiheshin armë. Sipas raportit policor, rreth orës 15:30, gjatë kontrollit të një shtëpie të pabanuar janë gjetur dhe sekuestruar një radiolidhje me adapter, një kuti plastike me municion për fishekë gjahu, 22 kapsolla për armë gjahu, vaj për armë, një fishek për armë gjahu, pjesë plastike të mbushura me barut, një thikë, një këllëf për revole, një xhaketë ushtarake me mbishkrimin e Serbisë, një revole me karikator dhe pesë fishekë, si dhe gjashtë krehër me gjithsej 56 fishekë. Në një rast tjetër, të raportuar rreth orës 15:15, po në fshatin Potokmali, policia kontrolloi një tjetër shtëpi të pabanuar, ku gjeti dhe sekuestroi dy kuti me sfera metalike për armë gjahu, një makineri për mbushjen e fishekëve të armëve të gjahut, dy krehër me 20 fishekë dhe një armë të gjatë. Për të dyja rastet është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetimet po vazhdojnë për veprën penale "Armëmbajtje pa leje"./Telegrafi/